Lajme

Molliqaj: Greva na dha leksion për pushtetin që kemi

Kryetari i Partisë Social Demokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj edhe njëherë ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës lidhur me grevën në arsim.

Sipas Molliqaj pasi që Qeveria nuk mundi të përçajë e kontrollojë grevistët ua ndali pagat.

“Meqë as nuk kanë mundur t’i nënshtrojnë, as nuk kanë arritur t’i përçajnë, aq më pak t’i kontrollojnë, mjeti i vetëm që kanë në dorë është laku nën fyt, me punën e pagave. Sikur nuk ju mjaftoi denigrimi dhe fushata sistematike kundër mësimdhënësve”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj më tutje ka thënë se presioni me paga i ka kaluar të limitet.

“Presioni me paga i ka kaluar limitet. Sidomos tani, në kontekstin e votimit të mësimdhënësve për çështjen e grevës, një presion i tillë është ndërhyrje në procesin e brendshëm të sindikatës” thotë Molliqaj.

Ata që kërkojnë qetësi e fitore në emër të popullit e në kurriz të punëtorëve nuk do ta gjejnë atë, ka shtuar më tutje Molliqaj.

Po ashtu gjatë mbrëmjes së djeshme, anëtarësia e SBASHK-ut ka vendosur që greva në procesin mësimorë të pezullohet ndërsa sot vendimin do ta marrin edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura.

Ata pritet të mbajnë një konferencë për media duke filluar nga ora 14:00./Shqip.com