Lajme

Molliqaj fton opozitën dhe shoqërinë civile për ta kundërshtuar vendimin e shtrenjtimit të rrymës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, u ka dërguar ftesë publike të gjitha partive opozitare dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth hapave të mëtejshëm në kundërshtimin e vendimit të rritjes së çmimit të rrymës.

Molliqaj ka shkruar se bashkarisht do të vendosin për mënyrën e kundërshtimit.

“Takim opozitar për një kundërpërgjigje të përbashkët. Nga nesër do t’i ftojmë në një takim për të premten të gjitha partitë parlamentare e joparlamentare opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave të ndryshme dhe të gjithë ata persona publik e jopublik që janë të interesuar që bashkarisht ta kundërshtojnë vendimin e rritjes së çmimit të rrymës. Bashkarisht, do të vendosim për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit”, shkruan Molliqaj në ftesën e tij publike.

Faturat e energjisë elektrike.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka miratuar më 8 janar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët.

Ata të cilët shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovatë orë në muaj nuk do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Kurse, ata që konsumojnë mbi 800kWh është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent.

Ky vendim hyn në fuqi nga 9 janari dhe zgjat deri më 2023. /Shqip.com