Lajme

Molliqaj : Me Byronë synohet shantazhi dhe mirëmbajtja e diskursit “qe 20 vjet”

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Gjatë ditës së djeshme, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Këtë projektligj e kanë votuar pro 61 deputete dhe 58 të tjerë kundër si dhe 3 nga abstenuan.

Mirëpo me këtë nuk po pajtohet kreu i Partisë Social Demokrate. Dardan Molliqaj.

Ai përmes një postimi në rrjetin social ka thënë se Byroja synohet shantazhi dhe mirëmbajta e diskursit “që 20 vjet”.

“Të gjithë janë potencialisht hajna. Me përjashtim të kujt? Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i ka në shenjë zyrtarët e shtetit. Por, këta zyrtarë kujt i kanë shërbyer? Nëse nga një kontratë apo punë tjetër e paligjshme zyrtari i shtetit ka përfituar dhjetëra mijë euro, pronari i biznesit nga e njëjta fiton miliona. Sepse secila mito dhe secili favor biznesit i ka shkuar. Zyrtarët janë në shënjestër, sepse qëllimi nuk është drejtësia, por shantazhi dhe mirëmbajtja e diskursit “qe 20 vjet”, ka shkruar Molliqaj.

 Molliqaj ka thënë së me ligjin e ri të gjithë janë nën llupën e Byrosë, por as kjo nuk mjafton.

“Të gjithë zyrtarët e deklarojnë pasurinë tash sa kohë. Me ligjin e ri të gjithë janë nën llupën e Byrosë, por as kjo nuk mjafton. Tash duhet me e deklaruar pasurinë edhe mjekët dhe profesorët. Pse jo edhe mësuesit e policët nesër. Gjuetia për dallimin e parave të ndershme nga të pistat, për ta kërkuar këtë pasunarin me moral, po bëhet cenim për qytetarin dhe liritë e tij. Problem bëhet kur subjekte e njerëz e ulin kokën dhe e pranojnë këtë instancë gjykimi, duke synuar të fitojnë pafajësi”, ka thënë Molliqaj.

Lidhur më këtë kryeministri Albin Kurti tha se “jemi të gatshëm të vazhdojë procesi i konsultimeve me të gjitha partitë”.

“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime… Byroja Shtetërore dhe vettingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë”, tha ai.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, bën verifikim e pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme./Shqip.com