Lajme

Mohuesit të masakrës së Reçakut i ulët dënimi për burgim

Ish-Ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosjeviq

Është dënuar me një vit burgim ish-ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq i cili e quajti trillim masakrën e Reçakut në të cilën ishin vrarë 45 civilë.

Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Por, Kolegji i Gjykatës Supreme, vitin e kaluar e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Njoftimin për këtë e kishte bërë Gjykata Supreme përmes një komunikate për medie.“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë

Siç raporton Betimi për Drejtësi, sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, Todosijeviq në cilësinë e ministrit të MAPL-së, ka keqpërdorur autoritetin e tij me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovës.

Todosijeviq e kishte quajtur trilliim masakrën e Reçakut pikërisht në në në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Sa ishte Todosijeviq ministër, Lista Serbe ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

/Shqip.com