Lajme

Mocioni i AAK-së për ta rrëzuar Kurtin, ky është qëndrimi i PDK-së

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu ka thënë se kërkesa e Aleancës  për Ardhmërinë e Kosovës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti nuk është bërë në momentin e duhur.

Abdullahu këtë kërkesë të AAK-së e sheh si tërheqje të vëmendjes nga të gjitha problemet në vend.

Madje sipas zëdhënësit të PDK-së, nuk ia vlen t’i bashkohet thirrjes së partisë tjetër opozitare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte kërkuar që të iniciohet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion i mosbesimit. Mocioni bazohet në rrezikimin e sovranitetit në veri dhe prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe BE, deri te sanksionet e SHBA ndaj Kosovës. Do të vazhdojmë diskutimet me subjektet politike”, kishte deklaruar Haradinaj.

Teksa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ideja e AAK-së për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti është i destinuar për të qenë i pasuksesshëm.

Në anën tjetër edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaruan se ka paqartësi të madhe për procesin e dialogut. Megjithatë u shpreh kundër mocionin të iniciuar nga AAK-ja.

/Shqip.com