Kulturë

MKRS: Restaurime në të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore (FOTO)

MKRS: Restaurime në të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore
MKRS: Restaurime në të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës ka njoftuar se, në të gjithë vendin janë duke u kryer restaurime dhe ndërhyrje emergjente në asetet e trashëgimisë kulturore.

Së fundmi kanë përfunduar punimet në kullën e Zeqir Hakajt, në Orrobërd të Istogut. Kjo kullë e ndërtuar në shekullin XIX ishte dëmtuar shumë gjatë luftës në Kosovë. Kulla e Zeqir Hakajt deri në vitin 1999 ishte përdorur si shtëpi banimi.

Ndërkohë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku njoftoi në rrjetet sociale se është shpëtuar edhe një tjetër shtëpi tradicionale e Prizrenit.

Restaurimet tona anembanë vendit nuk kanë të ndalur. Transformimi në trashëgiminë kulturore është i dukshëm”, është shprehur ministri Çeku.

Shtëpia e familjes Lokvica, në Marash, ishte drejt shkatërrimit të plotë. Ndërhyrjet emergjente dhe restauruese ishin të domosdoshme. Tashmë banesa e ndërtuar në shekullin XIX po funksionalizohet. Ndërtesa dykatëshe është prej guri dhe qerpiçi, të sistemit “bondruk”, me trarëza prej druri.

/Shqip.com