Kulturë

MKRS: Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë arkeologjike, prioritet

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e hulumtimeve studimore kërkimore në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana.

“Projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë në mes të MKRS dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, Universitetit École normale supérieure (Paris)”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Parku Arkeologjik Ulpiana

Projekti tre vjeçar zhvillohet në kuadër të ligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, në kuadër të sektorit, Mbështetja për Turizmin dhe Trashëgiminë Kulturore dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian.

Parku Arkeologjik Ulpiana, do t’i nënshtrohet kompletimit të incizimit gjeofizik dhe dokumentimit të të gjitha gjetjeve, strukturave mbi tokë dhe gërmimeve arkeologjike.

Këto pritet të zgjerojnë parkun arkeologjik, themelimin e qendrës së hulumtimit dhe furnizimin me pajisje moderne.