Rozë

Miss Serbia largohet nga konkursi i bukurisë pas fotos me simbolin e shqiponjës

"Miss Universe"

Miss Serbia, Valentina Petroviç është tërhequr nga konkursi i bukurisë pas kritikave të shumta në mediat serbe për foton ku ajo pozon duke bërë simbolin e shqiponjës së bashku me Miss Shqipërinë, Miss Malin e Zi dhe Miss Kosovën.

Fotoja e publikuar në rrjetet sociale nga Frontina Gashi, përfaqësuesja e Shqipërisë në konkurs, shkaktoi zhurmë të madhe mediatike në Serbi.

Për shkak të gjithë urrejtjes dhe presionit të publikut ajo ka vendosur të heqë dorë nga kompeticioni.

Përmes një statusi në rrjetet sociale Valentina Petroviç ka kërkuar falje për atë që e cilëson ‘moment spontaniteti të pamenduar dhe rënie në grackën e qëllimeve të këqija të dikujt tjetër’, ndërsa njofton se ka hequr dorë nga gara.

Në një njoftim publik ajo është shprehur:

“Dua të bëj një njoftim publik për foton që po qarkullon në rrjetet sociale! Në një eufori të vrullshme për festën më ftuan të bëja një foto, qëndrova pranë vajzave me shpejtësi të madhe dhe vajzat m’i vunë duart në eufori. Nuk kisha qëllime të këqija, ishte një moment pakujdesi dhe spontaniteti budalla. Unë dua t’i kërkoj falje të gjithë kombit tim, popullit të’ Kosovës dhe Metohisë’, shoqërisë sime, familjes sime që janë konfuzë për shkak të fotografisë së bërë dhe pamaturisë sime dhe rënies në grackën e qëllimeve të këqija të dikujt tjetër.

Unë e dua dhe inkurajoj vendin tim dhe vlerat e tij. Shteti ynë është simboli i vetëm që mbaj në zemër. Unë thjesht nuk mendoja kur ndodhi ky akt. Më vjen shumë, shumë keq, ndaj, përveç një ndjese të thellë, mora vendimin t’u kërkoja leje organizatorëve për t’u larguar nga konkursi dhe kështu të çlirohem nga presioni aktual që po mbaj. Më vjen shumë keq për këtë, por thjesht ndodhi në mënyrë të pamatur. Më duken të vështira të gjitha mesazhet dhe kritikat, por keni të drejtë. Më falni, shpresoj të më kuptoni”, ka shkruar Valentina.