Sport Shqiptar

Mirlind Daku vazhdon kontratën me N.K Osijek

Mirlind Daku

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Mirlind Daku ka vazhduar bashkëpunimin me skuadrën kroate, N.K Osijek, shkruan Shqip.com.

Ai ka nënshkruar kontratë të re e cila do ta mbajë atë në skuadër së paku deri në vitin 2024.

Daku, i cili kishte kontratë deri në vitin 2022 ka nënshkruar edhe për dy vite tjera me klubin kroat, njofton Osijek përmes një komunikate.

Pasi zgjati kontratën me klubin kroat, sulmuesi kosovar tha se është i lumtur që është pjesë e planeve të klubit kroat dhe se po pret shansin e tij, ndërsa konkurrencën në klub 23-vjeçari e sheh si shtysë për t’u bërë më mirë.

“Sigurisht, jam i kënaqur që jam në planet afatgjate të klubit, gjë që konfirmohet nga kontrata e re. Mua më takon të stërvitem mirë dhe të pres shansin tim, duke shpresuar se mund ta marr. Konkurrenca është e mirë, por gjithashtu më inkurajon të bëj edhe më mirë”, ka thënë Daku.

Por, edhe pse nënshkroi kontratën e re, ekziston mundësia që sulmuesi nga Gjilani të huazohet te një kampionat tjetër, këtë nuk e ka mohuar as drejtori teknik i Osijek, Nenad Bjelica.

“Ekziston mundësia e huazimit, ka klube të interesuara, kështu që ne do të vlesojmë se çfarë është më e mira për të. Ai është sulmuesi i dytë i Kombëtares së Kosovës dhe kjo duhet respektuar”, deklaroi Nenad Bjelica.

Edicionin që lam pas, gjilanasi ishte i huazuar te skuadra nga Kosova, FC Ballkani, ku kryesoi listen e golashënuesve në SuperLigën e Kosovës me plotë 31 gola të shënuar./Shqip.com