Kulturë

Mirënjohje e Lidhjes së Shqiptarëve në Botë për Skënder Gjinushin

Lidhja e Shqiptarëve në Botë i dorëzoi sot akademik Skënder Gjinushit, mirënjohjen e saj të veçantë. Ky vlerësim vjen dy javë pas përfundimit të dy veprimtarive kryesore publike, për arbëreshët dhe për diasporën e re, në të cilat Akademia e Shkencave pati rolin e vet të rëndësishëm si institucion bashkorganizues.

Mirënjohja iu dorëzua akad. Gjinushit nga zëvendëskryetari i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë prof. dr. Ksenofon Krisafi. Ai theksoi se kjo mirënjohje akordohet nga kryesia qendrore e LSHB, në shenjë vlerësimi për kontributet e vazhdueshme të kryetarit Gjinushi në dobi të çështjes kombëtare, si dhe për mbështetjen e tij personale të veprimtarisë së shqiptarëve në diasporë, të shoqatave të tyre kulturore e atdhetare, veçmas ndaj Lidhjes së Shqiptarëve në Botë, shkruan atsh.

Kryeari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Gjinushi falënderoi Lidhjen Shqiptare në Botë për vlerësimin dhe theksoi se Akademia e Shkencave të Shqipërisë ushtron një kujdes të veçantë për diasporën shqiptare, rolin e saj në fuqizimin e kapaciteteve shkencore që janë të gatshëm për të kontribuar në Shqipëri, si dhe mbështetjen ndaj projekteve gjithë përfshirëse në dobi të gjithë komuniteteve shqiptare kudo që janë nëpër botë.

/Shqip.com