Lajme

“Mirënjohje qytetarëve për shansin e ri që na dhanë”

Krytari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar qytetarët për siç thotë ai “shansin e ri që ia dhanë”.

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e para në nëntë komuna, katër më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Po ashtu, ky subjekt politik do të qeverisë në tri qendra; Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Lexo edhe:
Grenell – Velës: A e mbështet Osmani moszbatimin e projektit të gazsjellësit amerikan

“Fitorja e kandidatëve tanë është një fitore qytetare, për të rikthyer e ruajtur qeverisjet e mira, transparente, të kompetencës e të projekteve madhore në qytetet tona”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Por, thotë se i presin shumë punë përpara, duke shtuar se do të punojnë “me kulturë të lartë”.

“Sepse vetëm kështu, të bashkuar, mund ta shohim Kosovën ashtu si e meriton të jetë, e zhvilluar e demokratike. PDK me krenari do t’i prijë këtij vizioni”, ka thënë Krasniqi.

Pos tri qendrave, PDK ka fituar edhe në Skenderaj, Drenas, Vushtrri, Dragash, Kaçanik dhe Hanin e Elezit. /Shqip.com