Lajme

Miratohet raporti për Kosovën, Vuçiq: Lufta do të jetë deri në fitore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kuvendi i Serbisë rifilloi seancën e posaçme të mërkurën në orën 10:00, ku pika e vetme e rendit të ditës ishte Raporti mbi procesin e negociatave me Kosovën.

Siç raportojnë mediat serbe, seanca ka zgjatur më shumë se 14 orë dhe me 148 vota pro është miratuar Raporti për procesin e negociatave me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij pas 25 orësh të seancës dyditore të Kuvendit për Kosovën, ka thënë se “në asnjë mënyrë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, Pavarësia e Kosovës nuk do të jetë njohur”, si dhe se “lufta do të jetë deri në fitore”.

Kujtojmë se seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë ka nisur të martën dhe më pas diskutimi ka zgjatur më shumë se 10 orë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua prezantoi raportin deputetëve, të cilët u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare që ta votojnë raportin, sepse, siç tha ai, uniteti për këtë çështje do të ishte i rëndësishëm për imazhin e Serbisë në botë./SHQIP.com