Lajme

Miratohet projektligji i ri për pensione, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë

Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se më këtë ligj do të eliminohet padrejtësia ndaj atyre që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet 90’.

Po, ashtu ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se kjo ka qenë një padrejtësi e madhe.

“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna. Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’u llogaritet drejt plotësimit të kushteve prej 15 vitesh ndërsa lartësia e pensionit do të përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve”, tha Murati.

Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.

“Më duhet të them disa statistika, nga ky ndryshim plotësim teorikisht përfitojnë 70 mijë persona që do të plotësonin kushtin, megjithatë duhet të marrim parasysh se disa mund të kenë ndërruar jetë e disa ende mund të mos e kenë arritur moshën e pensionimit. Në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë persona dhe do të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës. Shpresojmë që edhe Kuvendi t’i marrë masat e nevojshme”.

/Shqip.com