Lajme

Miratohet koncept dokumenti për themelimin e Fondit Sovran

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Asetet të cilat menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tani do të barten në Fondin Sovran.

Bartja bazohet në koncept dokumentin i cili është miratuar në parim në takimin e Komisionit Ekzekutiv për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.

Koncept dokumenti parasheh hapat që duhet të ndjek Qeveria e Kosovës deri në themelimin e fondit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Fondi do t’iu japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së.

Kjo do të ndodh përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar.

“Si i tillë, Fondi pritet që të kryejë jo vetëm një rol mbikëqyrës dhe menaxhues të aseteve vitale të Kosovës, por edhe të jetë një instrument i ri dhe i fuqishëm për zbatimin e projekteve të rëndësishme zhvillimore në Kosovë. Me një fjalë, Fondi, në konceptin e propozuar nga Grupi Punues, do të ketë një rol të shumëanshëm zhvillimor për vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Ai  ka thënë se nga Fondi do të krijohen mundësi për sjelljen e kapitalit në sektorin privat përmes partneriteteve të reja që do të formohen midis Fondit dhe investitorëve të jashtëm dhe korporatave prodhuese dhe shërbyese në Kosovë. /Shqip.com