Lajme

Miratohet buxheti i vitit 2022 në Shqipëri, PS voton kundër Braçes

Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare
Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Me 77 vota pro është miratuar buxheti i vitit 2022 nga Kuvendi i Shqipërisë në mbledhjen e së enjtes së 25 nëntorit, transmeton Shqip.com.

Ky miratim i buxhetit për këtë vit erdhi pas një muaji diskutime në komisionet parlamentare, për çka pati debate të shumta, sikurse për buxhetin edhe për paketën fiskale.

Në seancën plenare të së enjtes, përballë vullnetit të mazhorancës kanë ardhur disa kërkesa për amendime nga ana e deputetëve, raporton TCh.

Seanca plenare për miratimin nen për nen nisi me kundërshtitë e fermerëve. Të mbledhur para Parlamentit ata kërkuan që paketa fiskale të mos miratohet.

Për t’i dëgjuar shkoi vetë Kryeministri Rama. Pas takimit fermerët thanë se ranë dakord me kreun e qeverise vetëm për t’u ulur në bisedime.

Propozimet për paketën fiskale të ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe nuk gjetën mbështetje as nga vetë socialistët në Kuvend.

Amendamentet e tij të dorëzuara me disa ndryshime në paketën fiskale, morën vetë, 10 vota pro.

Mazhoranca ka pranuar vetëm mendimin e Taulant Ballës për shtimin e fondit prej 60 milionë lekësh për KPA-në.

Edhe propozimet e tjera të mbërritura nga Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixho, Petrit Vasili nga LSI si edhe Alfred Rushaj dhe Jorida Tabaku nga PD u hodhën poshtë. /Shqip.com