Miqësoret kundër Azerbajxhanit dhe Polonisë, Shqipëria U21 shpall listën e futbollistëve të ftuar

Shqipëria U-21 do të nisë pas disa ditësh grumbullimin për dy ndeshjet miqësore të muajit mars kundër Azerbajxhanit (23 mars) dhe Polonisë (27 mars) që do të zhvillohen në Turqi, njofton FSHF, shkruan Shqip.com.
Paraditen e sotme, trajneri Alban Bushi shpalli listën me 24 futbollistët e grumbulluar.
Në prag të grumbullimit, tekniku kuqezi doli në një konferencë për mediat në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku shpjegoi listën me lojtarët e grumbulluar, ndërsa komentoi edhe dy sfidat e Shqipërisë kundër Azerbajxhanit dhe Polonisë.
Trajneri Bushi u shpreh se dy rivalët e ekipit kombëtar U-21 në këto dy sfida i ngjasojnë kundërshtarëve në grupin E të kualifikueseve të Europianit 2025 për këtë grupmoshë, ndërsa u shpreh se grupi i lojtarëve që Shqipëria do të ketë në bazën e saj në këtë edicion i ngjallin shumë besim falë cilësive të tyre dhe se Shpresat mund të shkruajnë historinë në këto kualifikuese.
Ndër të tjera, trajneri Alban Bushi foli edhe për eliminatoret e kësaj grupmoshe, ku Shpresat ndodhen në grupin E bashkë me Rumaninë, Finlandën, Zvicrën, Malin e Zi dhe Armeninë, si edhe lojtarët nga kampionati shqiptar.

/Shqip.com