Kulturë

“Miq, unë s’kam. Vetëm bashkëfajtorë kam”

Vazhdon të jetë ndër filozofët më të njohur francezë e më gjerë.

Albert Kamy, qysh në moshën 44 vjeçare u nderua me Çmimin Nobel për letërsi, duke u bërë kështu fituesi i dytë më i ri në histori.

Kamy, u bë i njohur me veprën e tij ekzistencialiste “I huaji”, për të cilën ende vazhdon të vlerësohet e edhe kritikohet.

E meqenëse është i njohur për tematikën e absurdit në veprat e tij, edhe tek “Rënia”, ai jep pothuajse të njëjtën qasje, duke e shprehur si tronditëse humbjen e mirësisë e pafajësisë absolute.

“Rënia”, është botuar në vitin 1956, dhe thuhet që është botuar gjatë përiudhës më pesimiste të jetës së autorit.

Më poshtë gjeni disa fragmente nga “Rënia”.

“Miqësia është më e thjeshtë. Është e gjatë dhe e vështirë për ta fituar, por kur e ke, se heq dot më qafe, duhet ta përballosh.

Në radhë të parë, mos kujtoni se miqtë tuaj do t’iu telefonojnë darkë për darkë, siç duhej të bënin, për të marrë vesh se mos pikërisht ju atë mbrëmje vendosni të vrisni veten, ose thjesht akoma se mos keni gjë nevojë për shoqëri, se mos nuk jeni në gjendje për të dalë.

Por jo, edhe në iu marrshin në telefon, jini të qetë, kjo ka për të ndodhur mbrëmjen kur nuk jeni vetëm dhe, kur jeta është e bukur. Sa për vetëvrasjen, ata më tepër kishin për t’ju shtyrë, për arsye të asaj që i detyroheni vetvetes, sipas tyre.

Sa për ata që e kanë për detyrë të na duan, dua të them prindërit, aleatët (ç ‘shprehje), është avaz tjetër. Ata thonë fjalën e duhur, po fjala bëhet plumb; ata telefonojnë siç shtihet me pushkë. Dhe qëllojnë në shenjë.

Miqësia është hutaqe ose të paktën e pafuqishme. Atë që do ajo, nuk mundet dot ta bëjë. Ndofta, në fund të fundit, nuk e do aq sa duhet? E keni vënë re se ndjenjat na i zgjon vetëm vdekja? Sa i duam miqtë tanë që na lënë, apo s’është kështu?

Po a e dini pse jemi gjithmonë me të drejtë dhe me të gjerë me të vdekurit?

Arsyeja është e thjeshtë! Me ta s’ka detyrime. Na lënë të lirë, mund ta marrim me nge…

Edhe në na u detyrofshin për diçka, kjo lidhet me atë që, ne na duhet t’i kujtojmë, mirëpo ne harrojmë shpejt. Jo, ndër miqtë tanë, ne duam të porsa vdekurin, të vdekurin që na bën me dhimbje, emocionin tonë, veten tonë në fund të fundit.”

“Njerëzit binden me arsyet, me sinqeritetin tuaj dhe me shkallën e rëndë të mundimeve tuaja, vetëm nëpërmjet vdekjes tuaj. Sa të jeni gjallë, rasti juaj është i dyshimtë, veç skepticizmi i tyre ju pret”

Që të mos jesh më i dyshimtë s’duhet të jetosh më, fare bukur.”

“Miq unë s’kam. Vetëm bashkëfajtorë kam. Por ama, numri i këtyre të fundit është rritur, ata janë gjinia njerëzore. Nga e di unë që s’kam miq? Është fare e thjeshtë: e zbulova ditën kur më shkoi mendja të vritesha për t’ua punuar atyre bukur, për t’i ndëshkuar si të thuash. Po kë të ndëshkoja?

Disa do të habiteshin, askush s’kishte për ta ndier veten të ndëshkuar. E kuptova që nuk kisha miq. Veç kësaj, edhe të kisha pasur, s’kisha për të qenë gjë i përparuar. Ah, po të arrija të vrisja veten dhe pastaj t’ua shikoja atyre surratin, atëherë po do t’ia vlente barra qiranë.”

“Ndeshja armiqësi, sidomos ndër ata që më njihnin nga shumë larg dhe që, unë vetë s’i njihja fare. Padyshim pandehnin se rroja në mënyrë të përkryer dhe i zhytur i tëri në lumturi: këtë s’ta fal njeri.

Të tjerët nuk jua falin lumturinë dhe sukseset. Vetëm në rast se pranoni t’i ndani bujarisht me ta. Mirëpo që të jesh i lumtur, nuk duhet të merresh shumë me të tjerët.

E vetmja mënyrë mbrojtjeje gjendet te ligësia. Në këto raste njerëzit nguten të gjykojnë të tjerët që të mos gjykohen vetë.”