Lajme

Ministrja kërkon nga prokuroria t’i hetojë humbjet milionëshe në ndërmarrjet publike

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar aktivizimin e prokurorisë dhe policisë për hetimin e atyre personave të cilët në emër të ndërmarrjeve publike kanë nënshkruar kontrata të dëmshme ku shteti ka humbur miliona euro.

Haxhiu këto komente i ka bërë në konferencën për shtyp ku ka përmendur edhe Telekomin e Kosovës i cili ka humbur rastin në Gjykatën e Arbitrazhit dhe tani detyrohet të paguajë 13 milionë euro.

Sipas saj, në rastin e Telekomit dhe në rastet e tjera ka pasur nënshkrim të kontratave të dëmshme nga ata të cilët kanë punuar në këto ndërmarrje.

Haxhiu shprehet e habitur për mungesën e hetimeve

“Këtu është dashur të bëhet punë më e madhe nga prokuroria, policia dhe gjykata. Përkundër që në vazhdimësi janë nënshkruar kontrata të tilla që u kanë shkaktuar dëme ndërmarrjeve publike sot ne ende nuk kemi para përgjegjësisë ata të cilët e kanë futur ndërmarrjen në kontrata të tilla të cilat pastaj kanë krijuar pasoja”

“Në këtë drejtim institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre sepse lidhja e kontratave të dëmshme është vepër penale”, ka thënë ajo. /Shqip.com