Ekonomi

Ministrja Gërvalla takoi kryeministrin kroat, flasin për bashkëpunim ekonomik

Bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe Kroacisë ishte tema kryesore e takimit në mes të  Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Gërvalla vuri në pah dhe vlerësoi shumë lart faktin që Republika e Kroacisë, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe si mik tradicional i Kosovës, mbështet pa rezervë Kosovën në rrugën e saj integruese euro-atlantike dhe në anëtarësimet e reja ndërkombëtare të saj .

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe e stabilitet rajonal dhe promovon fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kroacisë në shumë fusha të interesit të përbashkët është me prioritet për Qeverinë e Kosovës” ka thënë Gërvalla

Gërvalla falënderoi Kryeministrin Plenkoviç për mbështetjen e tij personale në Forumin Ekonomik shumë të suksesshëm mes Kosovës dhe Kroacisë të organizuar javë më parë në Prishtinë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin kroat që jeton në Kosovë. Lidhjen mes dy vendeve tona e bëjnë më të fortë edhe komunitetet tona respektive, ka shtuar më tutje Gërvalla.

/Shqip.com