Lajme Shqiptare

Ministrja e Drejtësisë fton gratë ta raportojnë dhunën

Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot gjatë vizitës në komunën e Podujevës, deklaroi se dhuna në familje është fenomeni që po e shkatërron shoqërinë në vendin tonë.

Gjatë tubimit me vajza dhe gra në teatrin e qytetit “Avdush Hasani” në këtë komunë, ajo ka thene se angazhimi për luftimin e dhunës në familjes duhet të jetë edhe më i fuqishëm.

“Ne mbesim të shqetësuar me një fenomen që po e shkatërron shoqërinë tonë, pra që ka pasoja të rënda për qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti për vajzat edhe gratë dhe që është dhuna në familje, dhuna në baza gjinore dhe kur jemi këtu, vetëm në ditët e fundit Brenda 5 ditëve dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre dhe rasti i fundit ishte një rast jashtëzakonisht i rëndë, ku në dyer të repartit të Gjinekologjisë, u vra në mënyrë mizore gruaja dhe foshnja që priste ta sillte në jetë nga ish-bashkëshorti i saj. Pra, pavarësisht strategjive, ligjeve, dokumenteve që kemi hartuar duket që angazhimi ynë duhet të jetë edhe më i fortë dhe më i fuqishëm në mënyrë që djemtë dhe burrat ta respektojnë dinjitetin e jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës”, ka thënë mes tjerash Haxhiu, raporton Kosovapress.

Tutje, ajo tregoi se vetëm prej janari deri tani janë rreth 2 mijë e 500 raste të raportuara të dhunës në familje, por tha se mendon që ka edhe më shumë raste. Ajo u bëri thirrje grave dhe vajzave që ta raportojnë dhunën në familje.

Ndërsa, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deklaroi se duhet të nxirren indikatorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës në familje.

“E tha edhe ministrja është shumë evidente që dhuna në familje fatkeqësisht është në rritje dhe sigurisht që indikatorët që kanë kushtëzue këtë rritje të kësaj dhune, në veçanti në këto viteve të fundit, domethënë janë prej ma të ndryshmeve. Unë besoj që institucioent përkatëse duhet mu marrë më tepër me të dhe mi analizu dhe mi nxjerr cilët janë ata indikatorë kryesorë, të cilët po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje”, ka thënë mes tjerash Bulliqi.

/Shqip.com