Lajme

Ministria: Të gjitha rrugët janë të kalueshme, vozitësit të kenë kujdes

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të martën ka njoftuar se të gjitha rrugët që menaxhohen nga ky dikaster janë të kalueshme, pavarësisht reshjeve të pandërprera të borës.

Por, siç është bërë e ditur në njoftim, në disa segmente të rrugëve komunikacioni është zhvilluar me vështirësi.

“Ju informojmë se Operatorët Ekonomik, për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në aktivitetin e tyre të plotë gjatë tërë natës së mbrëmshme dhe si rezultat i këtij aktiviteti sot të gjitha rrugët e Republikës së Kosovës të cilat menaxhohen nga MMPHI, janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, nga vozitësit është kërkuar kujdes më i shtuar dhe respektim i rregullave të vozitjes gjatë kësaj kohe.

Edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave të hënën, ka apeluar për kujdes nga të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica.

May be an image of 2 people

Policia ka bërë të ditur se posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe.

“Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet”.

Mes tjerash, ky institucion ka njoftuar se bashkë me njësitet e saj po ndërmarrin dhe do të ndërmarrin masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin.

“Me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët tona”./SHQIP.com