Lajme

Ministria e Shëndetësisë vjen me një apel për grup-moshat 12+vjeçare, kërkon të vaksinohen me dozën e tretë

Ministria e Shëndetësisë, ka ardhur me një apel për grup-moshat 12 + vjeçare, ku ka kërkuar që të njëjtit të vaksinohen me dozën e tretë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar ditë më parë dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për grup-moshën 12 + vjeçare, për personat të cilët kanë merre dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më pare” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Po ashtu është bërë i ditur edhe vendi se ku duhet të kryhet vaksinimi.

“Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim. Vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19, thuhet më tutje në njoftimin e MSH-së.

Me 35 rastet pozitive të konfirmuara të hënën numri i rasteve aktive me Coronavirus në Kosovë është 270.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve është mbi 225 mijë e 399.

Në 24 orët e fundit nuk ka pasur vaksinim kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi një milion e 830 mijë doza të vaksinës.

Deri më sot mbi 823 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Shqip.com