Lajme Botë

Ministria e Shëndetësisë në Gazë: Mbi 100 të vrarë nga sulmet e fundit izraelite

Ndërtesa të shkatërruara nga sulmet izraelite në Xhabalia të Rripit të Gazës.
Ndërtesa të shkatërruara nga sulmet izraelite në Xhabalia të Rripit të Gazës.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania – tha se që nga 17 dhjetori, nga sulmet izraelite në veri të territorit janë vrarë të paktën 110 palestinezë.

Përmes një deklarate të shkurtër, Ministria tha se 50 persona janë vrarë “nga sulmet e pushtuesit ndaj shtëpive në Xhabalia”, duke bërë që numri i viktimave në këtë zonë që nga dita e diel të arrijë në 110.

Këto pretendime të Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Të premten, më 15 dhjetor, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se mbi 18.700 persona janë vrarë që kur Izraeli nisi ofensivën hakmarrëse në Gazë në fillim të tetorit.

Lufta u nxit pasi grupi radikal, Hamas, kreu sulme të befasishme në jug të Izraelit më 7 tetor. Gjatë këtyre sulmeve u vranë 1.200 persona, shumica civilë, dhe u morën peng afër 240 burra, gra dhe fëmijë.

Liderët izraelitë po përballen me thirrje ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi të ri me Hamasin, me qëllim që të lirohen më shumë pengje.

Izraeli ka thënë se ofensiva e tij në Gazë – që ka pësuar shkatërrim të madh si pasojë e luftës – do të vazhdojë derisa të largohet nga pushteti Hamasi, të shkatërrohen aftësitë ushtarake të këtij grupi radikal dhe të shpëtohen të gjitha pengjet. /REL

/Shqip.com