Lajme

Ministria e rekordeve në Kosovë

Lajmi me Audio

Do të duhej të kujdesej për shëndetin e kosovarëve, por Ministria e Shëndetësisë po vazhdon ta mbaj vetëm një rekord.

Është institucioni i vetëm që nuk po mund të rehatohet me udhëheqës.

Që prej ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, kjo ministri ka ndërruar ministra.

Fillimisht në krye të saj ishte, Arben Vitia, i cili u detyrua të jap dorëheqje pasi iu besua konkurrimi për zgjedhjet komunale për kryetar të Prishtinës.

Megjithëse, pozicioni i ministrit mbeti vakant për kohë të gjatë, Vitia vendosi të linte politikën dhe të emërohej në një institucion privat shëndetësor.

Për një kohë kjo ministri u drejtua nga zëvendësministrja Dafina Gexha.

Më 16 nëntor të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti, prezantoi mjekun nga Amerika, Rifat Latifin, për ministër të këtij dikasteri.

Megjithatë, i njëjti ende pa i bërë një vit, dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Më 6 tetor Latifi njoftoi për dorëheqjen, të cilën ia dorëzoi shefit të qeverisë dhe kjo ministri prapë mbeti në duart e zëvendësministres.

Pas shumë reagimeve, kryeministri Kurti vendosi që këtë ministri t’ia besoj sërish atij që e mori në fillim.

Ai e emëroi Arben Vitinë më 26 dhjetor të 2022-ës.

Zhvillimet në këtë ministri janë kritikuar nga partitë opozitare.

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i tanishëm i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se për të dhe subjektin që i përket, Qeveria Kurti s’ka vizion, s’ka plan dhe s’ka as aftësi që të menaxhojë me sektorin e shëndetësisë.

“Është e qartë që mungesa e njohurive, mungesa e aftësive për menaxhim, është duke shkaktuar probleme serioze për qytetarët. Qytetarët janë duke u privuar nga shërbime të rëndësishme shëndetësore, ndërsa edhe investimet e sektorit shëndetësor mund të thuhet se janë inekzistente me këtë qeveri. Po ashtu Kosova po përballet me largim të profesionistëve shëndetësorë për shkak të pagave të ulëta dhe trajtimit të keq të punonjësve që janë shtylla e sistemit shëndetësor. Kjo qeveri pa ministër të shëndetësisë, e ka vështirësuar furnizimin me barna dhe material shpenzues. Kjo është një alarm në vetvete e fatkeqësisht është bërë e zakonshme për pacientët në Kosovë. Me një fjalë, me këtë qeveri ka degraduar sistemi shëndetësor në vendin tonë”, ka thënë Armend Zemaj në një përgjigje për Shqip.com.

Armend Zemaj – Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Të njëjtin vlerësim e kanë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetja e këtij subjekti politik Albana Bytyqi, ka deklaruar për Shqip.com, se gjendja në sektorin e shëndetësisë është e mjerueshme.

“Shëndetësia nën udhëheqjen e qeverisjes së kryeministrit Kurti ka dështuar në çdo aspekt, pasi janë gati dy vjet qeverisje dhe ky sektor nuk është ka merret seriozisht. Janë bërë mbi 70 ditë ku Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa një ministër. Tash kur e shohim se me çfarë qetësie dhe indiferencë është duke e trajtuar kryeministri Kurti këtë situatë, kjo me të vërtetë është shqetësuese. Kryeministri Kurti mund të themi se është duke bërë eksperimente, ndoshta më shumë kjo i shkon kur flasim për atë se sa ka bërë në këtë sektor. E dimë tashmë se shumë pozita në Ministrinë e Shëndetësisë, janë me zëvendësues të udhëheqësit. Mendoj që kurrë më keq nuk ka qenë shëndetësia dhe besoj fuqishëm se sektori i shëndetësisë, madje as nuk është ndër prioritetet e qeverisjes Kurti se lëre më prioritet siç edhe kanë tentuar ta proklamojnë ata, por tashmë propaganda e tyre nuk po u kryen punë më”, ka thënë Bytyqi.

Albana Bytyqi – Deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Bytyqi, po ashtu, ka folur edhe për ikjen e shumë mjekëve nga Kosova që vazhdon të jetë problemi kryesor në këtë sektor.

“Kemi pa shumë largime të mjekëve nga Kosova, nga institucionet shëndetësore. Kjo ikje sigurisht që ka ndikuar për të keq, është shumë shqetësuese, pasi jemi duke fol për jetën e njerëzve dhe me sa kam informata vetëm për tri vjet, kanë ikur rreth 400 mjekë pa i përfshirë këtu dhe infermierët. E keqja e gjithë kësaj është se Qeveria nuk është duke bërë asgjë që t’i ndalë mjekët në vendin e tyre, nuk u ofron asgjë, nuk ua krijon as kushtet elementare për të kryer shërbimet edhe më bazike, pra i gjithë zinxhiri shëndetësor është i dështuar, pasi nuk flitet vetëm për pagat, por edhe trajtimi i tyre nga qasja fyese që po ua bën kjo Qeveri”, thotë Bytyqi.

Mirëpo, ndryshe nga Zemaj e Bytyqi, mendon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi.

Labinotë Demi Murtezi – Deputete e Lëvizjes Vetëvendosje

“Me gjithë të berat e të pabërat, presim shtim të dinamikes në shëndetësi gjatë vitit të ardhshëm. Do të procedohen shumë ligje dhe jam e sigurt që do të jetë vit shumë produktiv për këtë sektor”, thotë Murtezi për Shqip.com.

Sfidat kryesore të Shëndetësisë gjatë vitit 2022

Kosova vazhdoi të përballet me pandeminë COVID-19 gjatë vitit 2022. Edhe pas dy viteve në bazë të raporteve të Ministrisë së Shëndetësisë, ende ka qytetarë që dalin pozitiv me COVID-19.

Një tjetër sfidë me të cilën u përball sektori i shëndetësisë, ishte edhe mungesa e barnave esenciale.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës më 26 tetor kishte vendosur që të shpërndajë 4.2 milionë euro për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Sipas Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve, kjo ndarje buxhetore është për blerjen e produkteve esenciale për tre mujorin e fundit të 2022-ës.

Po ashtu gjatë shtatorit, Qeveria e Kosovës ka miratuar formimin e komisionit ekzekutiv për shëndetësi.

Ky komision udhëhiqet nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e që u konsiderua nga publiku, si marrje e kompetencave në shëndetësi.

/Shqip.com