Lajme

Ministria e Mjedisit investoi 1.2 milion euro pa projekt në ndërtimin e lumit Morava e Binçes

Lumi Morava e Binçes

1.2 milion euro janë investuar pa projekt nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në ndërtimin dhe renovimin e lumit Morava e Binçes në Viti.

Kështu thuhet në raportin e siguruar nga Shqip.com, “Raport i grupit punues për shqyrtimin e projekteve kapitale të zbatuara në fushën e ujërave”, të hartuar nga kjo ministri me qëllim të verifikimit të gjendjes së investimeve.

I gjithë investimi ishte bërë vetëm me paramasa dhe parallogari.

“Në shkresat e lëndës nuk kemi hasur se ka projekt, është konfirmuar se puna e zhvilluar në lumin Morava e Binçes për renovimin dhe ndërtimin e infrastrukturës mbrojtëse është kryer pa projekt, vetëm me paramase dhe parallogari, veprime këto që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Megjithëse në mungesë të projektit, punimet ishin pranuar.

“Pranimin e situacioneve të operatorit ekonomik e kishte bërë Organi mbikëqyrës KK Viti dhe koordinatori i projekteve si organ mbikëqyrës i ministrisë. Koordinatori i projekteve të ministrisë herë nënshkruhet si organ mbikëqyrës e here si koordinator i projekteve si p.sh. për rekapitullimi total pjesa I dhe II paramasa dhe parallogaria e lumit Morava e Binqes”.

Ndërtimi dhe renovimi i lumit Morava e Binçes ishte projekt i nënshkruar mes ministrisë dhe Komunës së Vitisë, me qëllim bashkëfinancimit.

Por, të gjeturat e raportit rezultojnë se të gjitha faturat në vlerë të 1.2 milion eurove ishin paguar nga ministria.

“Kontrata bazë dhe aneks-kontrata janë në vlerë gjithsej: 1,207,393.02 euro. Në fakt, nuk ka pasur elemente te bashkëfinancimit me komunën e Vitisë, sepse te gjitha faturat i ka paguar ministria.

I kemi tri marrëveshje të mirëkuptimit për bashkëfinancim në mes të ministrisë dhe Komunës se Vitisë, ne vitin 2018, vlera 400,000.00 euro, viti 2019, 400,000.00 euro dhe viti 2020, 500,000.00 euro”, thuhet në raport.

Ky projekt është në mesin e 142 projekteve të nisura nga kjo ministri gjatë viteve 2016-2021.

Pjesa dërrmuese e tyre rezultojnë të kenë probleme planifikimi, implementimi, shkelje legjislative dhe procedura administrative./Shqip.com