Kulturë

Ministria e Kulturës, hap thirrje për mbështetjen e projekteve kulturore

Ministria e Kulturë, Rinisë dhe Sportit, ka hapur thirrje për mbështetje të projekteve të organizatave joqeveritare, në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore.

OJQ-të, mund të aplikojnë për pesë kategoritë.

Mbështetje për zhvillimin organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore;

Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore

Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore;

Projektet e krijuesve të rinj

Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Sipas MKRS-së, vlerësimi i projekteve do të shqyrtohet në dy faza, vlerësimi administrativ, që identifikon nëse aplikuesi ka ofruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara me këtë thirrje publike për kategoritë përkatëse. Plotësimi i dokumentacionit pas afatit të aplikimit, përkatësisht gjatë periudhës së vlerësimit apo afatit të ankesave, nuk është i mundshëm.

Aplikimi bëhet vetëm online përmes platformës e-Kosova, thirrja do të jetë e hapur nga data 01.04.2022 deri më datën 22 prill 2022, në ora 23:59.

Përmes kësaj thirrje MKRS, ka për qëllim promovimin e artit dhe trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore, si dhe nxitjen e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks tek fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara.