Lajme

Ministria e Jashtme: Grupet kriminale kanë bllokuar Merdaren

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një njoftim pas bllokimit të pikëkalimit kufitar në Merdarë për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët në anën serbe.

Meqë kjo është pika që përdoret më së shumti nga bashkëatdhetarë, MPJD i rekomandon atyre që t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, ndërsa ata që tanimë ndodhen në Serbi i rekomandon që të përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut.

Në këtë njoftim, MPJD thotë se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdarë”.

“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com