Lajme

Ministria e Financave ndan 1 milion euro për familjet në nevojë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se janë ndarë 1 milion euro për familjet në nevojë, shkruan Shqip.com.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se këto mjete do të shkojnë për ofrimin e shërbimeve të kuzhinave popullore.

“Kjo mbështetje kap vlerën prej 1 milionë euro dhe ndahet për ofrimin e shërbimeve të kuzhinave popullore. Krahas kësaj mbështetje, janë duke u shpërndarë kuponë ushqimorë për familjet në asistencë sociale, që kapin vlerën totale prej 4 milionë euro. Pra, hapja e shpalljes për aplikim për mbështetje financiare të kuzhinave popullore shënon zbatimin e plotë të masës 3.4”, bëhet e ditur nga MFTPT.

Më tej thuher se Ministria e Financave, në linjë me vizionin e Qeverisë, “mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e masave që kanë për synim mbështetjen e familjes, ngritjen e mirëqenies dhe qasjen më të lehtë në shërbime sociale për të gjithë qytetarët”.

Të gjitha organizatat jo qeveritare dhe entitetet e interesuara që ofrojnë këto shërbime mund të aplikojnë për këtë masë deri më 15 shtator. /Shqip.com