Lajme

Ministria e Ekonomisë: Vjedhja e rrymës shkakton miliona euro humbje në vit

Ilustrim

Ministria e Ekonomisë ka thënë se vjedhja e energjisë elektrike po shkakton krijimin e kostove të papërballueshme që duhet të paguhen nga parat e të gjithëve si dhe po ndikon në thellimin e krizës energjetike.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Ekonomisë ka thënë se kyçjet e paautorizuara shkaktojnë rreziqe të ndryshme.

“Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen.  Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike.  Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”, thuhet në komunikatën e ME-së.

Tutje ata thonë që së ME është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse në mënyrë që t’i evitojnë këto parregullsi.

“Ditëve në vijim  institucionet tona do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri”.

Tutje , nga ME-ja thonë se përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit.

Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro.

ME-ja inkurajon qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike si dhe të raportojnë çdo rast të evidentuar të parregullësive./Shqip.com