Lajme

Ministria e Ekonomisë: Prodhimi ditor i KEK-ut është rreth 507 MWh ndërsa konsumi është 750 MWh

Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se prodhimi ditor i Korporatës Eleketroenergjetike të Kosovës( KEK) është 507 MWh ndërsa kërkesa për konsum është deri në 750MWh.

“Ditën e sotme qytetarët janë njoftuar për ndërprerje të energjisë elektrike në orare të caktuara nga KEDS/KESCO. Prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh.Kërkesa për konsum është deri në 750 MWh”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Po ashtu është bërë e ditur se nuk do të ketë tolerime për ata që vjedhin energjinë elektrike.

“Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis” thonë nga ME.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur janë duke u ndërmarrë hapa që furnizimi me energji elektrike të kthehet në normalitet.

“Institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit”, thonë nga kjo Ministri.

Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë, thuhet më tutje në reagimin e Ministrisë së Ekonomisë./Shqip.com