Lajme

Ministria e Drejtësisë thotë se Agjencia për Ndihmë Juridike Falas do të funksionojë e pavarur

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media.

Ministria e Drejtësisë (MD) vetëm pasi është publikuar hulumtimi në emisionin “Betimi për Drejtësi’, me temë “Politizimi kundërkushtetues i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas” ka kthyer përgjigje duke thënë se ANJF do të funksionojë si e pavarur brenda MD-së.

“Betimi për Drejtësi” e ka trajtuar futjen e ANJF-së në kuadër të MD-së, ku njohësit e fushës po e konsiderojnë si ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni si dhe si veprim jokushtetues.

Sidoqoftë, në emër të Ministrisë së Drejtësisë është përgjigjur Berita Abazi nga kabineti i ministres Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se Agjencia për Ndihmë Juridike Falas  nga agjenci e pavarur do të bartet në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë e cila ka statusin e Agjencisë Ekzekutive, si dhe do të funksionojë në pajtim me Ligjin përkatës për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.

“Ju njoftojmë që ky proces është udhëhequr nga Ministria e Punëve të Brendshme, qëllimi i këtij procesi ka qenë racionalizimi i agjencive, si dhe adresimi i llogaridhënies, e cila është vlerësuar edhe nga raporte kredibile ndërkombëtare si sfidë”, thuhet në përgjigjen e Abazit.

Sipas Abazit, për shkaqe teknike përgjigjet në lidhje me këtë teme para transmetimit të emisionit nuk janë përcjelle emisionit “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ajo ka thënë se vendosjen e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, duhet pare dhe vlerësuar dhe se e njëjta do të funksionojë si e pavarur.

“Kjo agjencie do të funksionon si institucion i pavarur në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj, po ashtu Ministra e Drejtësisë do të përkujdeset që kjo agjenci të forcohet me kapacitete të plota, për të mundësuar ofrimin e ndihmës juridike falas, edhe për kategoritë e reja të cilat janë miratuar së fundmi e të hartuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Abazit.

Sipas përgjigjes, Ministria e Drejtësisë do të angazhohet fuqishëm që ndihma juridike falas t’iu mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi siç parashihet me nenin 31 paragrafi 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe legjislacionin përkatës në fuqi.

Për më shumë, në lidhje me këtë teme, ndiqeni emisionin “Politizimi kundërkushtetues i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas”.

/Shqip.com