Lajme

Ministri Peci apelon te fermerët të mos i djegin hamulloret

Foto e ilustruar

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u ka bërë thirrje fermerëve në Kosovë që të shtojnë kujdesin dhe përkushtimin e tyre për ndaljen e djegies së hamullarëve, përcjell Shqip.com.

Kjo pasi që siç ka thënë Peci, Kosova po përballet me mot me temperatura të larta, “prandaj edhe djegia e hamulloreve, pos që shkakton ndotje të ambientit, shkakton dëme të tjera të shumta duke rrezikuar edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve”.

“Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikoj pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve”.

Ministri i BPZH-së thotë se pas adresimit të këshillave dhe kërkesave për ndaljen e djegieve së hamulloreve, janë të detyruar të shqiptojnë masa ndaj personave që kryejnë këtë veprim.

“Ne si institucione qendrore, pas adresimit të këshillave dhe kërkesave për ndaljen e djegies së hamullarëve, do të jemi të detyruar që të shqyrtojmë edhe shqiptimin e masave ndaj secilit që djeg hamullarin e tij apo të tjetrit”, ka shkruar ministri në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka lutur fermerët të ruajnë parcelat e tyre nga djegia.

“Ruani shëndetin dhe ambientin, si dhe pasurinë e Kosovës”.

Ndryshe, Zona Industriale në Shirokë të Suharekës është përfshirë nga zjarri të dielën.

E përveç në Shirokë, zjarri ka përfshirë të premten edhe Malet e fshatit Shtupeq i Madh në Rugovë. Zjarri është arritur të lokalizohet dhe shuhet pas 48 orësh./SHQIP.com