Lajme Botë

Ministri letonez: Monumentet sovjetike ishin mjete për pushtim

Ministri i Kulturës së Letonisë, një prej zyrtarëve që Rusia e ka përfshirë në listën e më të kërkuarve, thotë se monumentet sovjetike në vendet baltike ishin mjete që i shërbenin regjimit.

Sipas tij, fakti që Moska njoftoi këtë masë ndaj tij, tregon se vendimet e autoriteteve letoneze, për të hequr monumentet sovjetike nga mbrojtja si trashëgimi, janë vendimet e duhura.

Monumentet e epokës sovjetike, shkatërrimi i të cilave, sipas Kremlinit, përbën “përdhosje të kujtesës historike” ishin mjete për pushtim të shteteve baltike, tha ministri Simonas Kairys, të cilin Moska e përfshiu të martën në listën e më të kërkuarve.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Brendshme ruse, policia futi në listën e personave më të kërkuar kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, ministren e kulturës të Lituanisë si dhe ish-deputetë lituanezë.

Politikanët e vendeve baltike rrezikojnë të arrestohen vetëm nëse kalojnë kufirin rus. Shpallja e tyre si “të kërkuar” nuk ka gjasa të ketë ndonjë pasojë praktike.

Ministri Kairys tha se vendi i tij kishte hequr mbrojtjen e trashëgimisë për monumentet sovjetike pasi ato “u përdorën për vendosjen e regjimit”.

“Hoqëm mbrojtjen si trashëgimi ndaj simboleve e monumentve sovjetike sepse nuk u përdorën si një vepër arti në periudhën e pushtimit sovjetik, por për të vendosur regjimin dhe pushtimin”, tha ai.

Pasi Rusia sulmoi Ukrainën dy vite më parë, vendet baltike Estonia, Letonia dhe Lituania hoqën monumentet e epokës sovjetike, përfshirë edhe monumentet kushtuar ushtarëve sovjetikë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të tre vendet janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe marrëdhëniet e tyre me Moskën janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës.

Ministri Kairys tha se përfshirja e tij në listë tregonte se ai “ishte në drejtimin e duhur” dhe tha se akuzat ishin “të pakuptimta”.

“Ky fakt tregon se unë jam në udhë të mbarë. Po ashtu tregon se këto akuza janë të paqena, të çmendura”, shtoi ai.

Ai tha se kjo tregonte se Rusia ende besonte se kishte pushtet mbi tre vendet që kanë qenë pjesë e bllokut komunist sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore derisa fituan pavarësinë me rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991.

“Kjo do të thotë se Rusia ende beson se ka pushtet në vende të pavarura sovrane demokratike si Lituania, por thjesht të thuash, është një marrëzi”, theksoi ai.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, shkroi në rrjetin social X se përfshirja e saj në listë ishte përpjekje për ta bërë atë që të heshtte për mbështetjen ndaj Ukrainës. /VOA

/Shqip.com