Lajme

Ministri “i zënë”, nuk i pret në takim specializantët – paralajmërojnë protesta

Protesta e specializantëve para MSh-së

Mëngjesin e të enjtes, një grup i specializantëve protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë, me kërkesën që të paguhen për kujdestari.

Të zhgënjyer, përfunduan protestën pa takuar ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin.

Në korridor i priti një këshilltar i këtij të fundit, i cili u tha se Latifi është shumë i zënë me takime.

Kështu bëri të ditur para mediave anëtari i Këshillit të Specializantëve, Dijon Musliu, specializant në Ortopedi.

Anëtari i Këshillit të Specializantëve, Dijon Musliu

Ai paralajmëroi protesta e masa të tjera nëse kërkesat e tyre nuk realizohen deri javën tjetër.

“Fatkeqësisht ministri nuk pat kohë me na taku. Tha qe ka takime të caktuara me disa ambasadorë. U takuam në korridor me një nga këshilltarët e tij na u tha që kanë me na prit në takim javën tjetër”.

“Për momentin nuk kemi ndonjë zgjidhje tjetër përveç të paralajmërojmë protestat e radhës javën e ardhshme nëse nuk takohemi edhe nëse nuk ofrojnë zgjidhje”.

“Do të tentojmë, ndoshta duhet të bëjmë diçka edhe më tepër se është hera e tretë që protestojmë dhe s’po kemi rezultate”.

Specializantët katër kërkesa: E para, kalimi i kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt. Kërkesa e dytë është çështja e kujdestarive dhe dy të tjera janë ligji i pagave dhe ndryshim-plotësimi i udhëzimit administrativ për shkollim specialistik.

Protestë me të ngjashme kërkesa kishte bërë edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë para Ministrisë së Shëndetësisë, më 17 shtator.

Edhe, më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, FSShK-ja ka dalë me gjashtë kërkesa.

Ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për “shkelje të ligjit kundër pandemisë”.

Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë./SHQIP.com