Lajme

Ministri i Shëndetësisë flet për masat e reja anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka njoftuar se do të ketë ndryshim të masave kundër përhapjes së COVID-19.

Pas mbledhjes së Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epiedemiologjike në vend, Latifi deklaroi se masat e reja do të jenë në proporcion me përhapjen e rasteve me Coronavirus.

Në një adresim për media, ministri nuk ka dhënë detaje tjera, por që theksoi se mundësia është që lokalet të mbyllen në orën 22:00.

“Natyrisht se do të ketë masa të reja anti-COVID. Ato do të jenë në proporcion me përhapjen e rasteve edhe do të jenë në balancim me nevojat për zhvillimin e mësimit të fëmijëve me mbajtjen e shkollave hapur me mbajtjen e ekonomisë hapur.

Ne kemi diskutuar është shumë e mundshme që lokale duhet të mbyllen në 10 mbremje, por për këtë do ta vendosim bashkërisht”, tha Latifi.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas këtij takimi deklaroi se interesi i tyre është që shkollat të mbahen hapur, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me këtë infeksion.

Nagavci tregoi se gjatë ditës pritet të mblidhet task-forca e kësaj Ministrie për të diskutuar situatën e krijuar.

Ndryshe, vetëm të mërkurën janë regjistruar dy mijë e 50 raste të reja me COVID-19, duke bërë që numri i rasteve aktive të jetë mbi 7 mijë e 200./SHQIP.com