Lajme

Ministri i Mbrojtjes nis raportimin në Komisionin për Siguri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka nisur raportimin në Komisionin parlamentar për Siguri.

Ai tregoi se raporti, të cilin tha se do ta prezantojë para deputetëve anëtarë të këtij komisioni “përmban aktivitetet kryesore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për periudhën janar-dhjetor 2023”.

Maqedonci paralajmëroi se në këtë raportim do të flasë edhe për çështje më të ndjeshme, dhe se ajo pjesë e diskutimit s’do të mund të ndahet me publikun.

“Ndër çështjet të cilat do të diskutohen janë edhe çështjet e klasifikuara që besoj që nuk duhet dhe nuk mund të ndahen me publikun dhe mund t’i diskutojmë në pjesën e mbyllur të këtij raportimi”, tha Maqedonci.

Ministri foli fillimisht për programin edukativ “edukimi për siguri” për klasët e 11-ta.

Në vitin e kaluar, Maqedonci tha se në kuadër të këtij programi “janë mbajtur ligjërata në 8 kazerma të Ushtrisë së Kosovës me pjesëmarrjen e 2100 nxënësve”.

“Gjatë këtij viti dhe në vitet në vijim planifikojmë që ta avancojmë këtë program”, tha ai. “Tashmë në kuadër të Ministrisë së Arsimit është si lëndë zgjedhore ky program”.

Maqedonci lavdëroi punën e ushtarëve të FSK-së në aktivitetet gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se ata treguan suksese edhe në angazhimet jashtë vendit.

/Shqip.com