Sport Shqiptar

Ministri Hajrulla Çeku premton se Qeveria e Kosovës po angazhohet maksimalisht për ndërtimin e këtij stadiumi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është takuar ditën e sotme me deputetin Visar Korenica.

Ata kanë biseduar për stadiumin e qytetit të Rahovecit, i cili vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme.

Çeku theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për jetësimin e këtij projekti, me rëndësi për sportin dhe gjithë banorët e Rahovecit.

“Sot me deputetin e Kuvendit të Kosovës Visar Korenica biseduam për angazhimin tonë të përbashkët për ta bërë Rahovecin me stadium të ri futbolli. Siç e kemi thënë disa herë deri tani, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për jetësimin e këtij projekti me rëndësi kapitale për sportin, rininë dhe gjithë banorët e Rahovecit”, ka shkruar Çeku në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, shkruan Shqip.com.

“Në vizitën që e kam pasur në shtator të këtij viti në Komunën e Rahovecit, nga Kryetari Smajl Latifi kam kërkuar të përcaktojë një lokacion të përshtatshëm dhe konsensual për stadiumin e qytetit, në konsultim dhe dakordim me komunitetin e sportit, Kuvendin e Komunës, profesionistët përkatës dhe grupet përkatëse të interesit. Kryetari Latifi është zotuar se do t’i zhvillojë këto konsultime dhe do të sigurojë konsensus për lokacionin, në mënyrë që Ministria e Sportit t’i nisë procedurat për stadiumin. Deri sot, nuk kam pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Kryetari për këtë çështje”, tha mes tjerash, Hajrulla Çeku.

“Dua të përsëris zotimin tonë. Në momentin që sigurohet lokacioni i përshtatshëm dhe konsensual, dhe i njëjti votohet në Kuvendin e Komunës, ne do ta nisim menjëherë procedurën për hartimin e projektit të stadiumit të qytetit. Gjithashtu, zotohemi se do të sigurojmë gjithë buxhetin e nevojshëm për ndërtimin e tërësishëm të stadiumit. Rahoveci në përgjithësi, e sportistët dhe futbollistët në veçanti meritojnë infrastrukturë të denjë. Secili duhet ta përmbushë pjesën e vet të përgjegjësisë institucionale. Nuk kemi kohë për të humbur.”, theksoi Çeku.

/Shqip.com