Lajme

Ministri Aliu: Hekurudha Prishtinë-Durrës po bëhet realitet

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se janë duke realizuar studimin e fizibilitetit dhe projektit preliminar të dizajnit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës.

Në llogarinë e tij në Facebook, ka publikuar një fotografi ku ka thënë se janë duke diskutuar me drejtorinë e përgjithshme të hekurudhave në Durrës për hapat e mëtejmë të kësaj linje.

Sipas Aliut, hekurudha Prishtinë-Durrës do t’i bashkojë ekonomitë e dy vendeve dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik.

“Jemi tek drejtoria e përgjithshme e hekurudhave në Durrës për të diskutuar për hapat e mëtejmë të linjës hekurudhore që do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë”, ka shkruar ai.

Në fillim të dhjetorit, ministri Liburn Aliu, zgjodhi një konferencë për media për të prezantuar projektin për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Aliu njoftoi se projekti në fjalë është prezantuar edhe në Bruksel.

“Ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku mund të fillojmë me një plan për menaxhim që mund të na japë edhe një afat kohor e një buxhet që mundet me e mbulu”.

“Kemi ndarë 1 milion euro për projektin e fizibilitetit, kemi supozuar që do të kushtojë kaq. Edhe Shqipëria ka ndarë 1 milion euro. Projekti i fizibilitetit do të përfshijë edhe Portin Tokësor”, ishte shprehur ai.

Mes tjerash, Aliu ka pohuar se këtë projekt hapen korridore të reja në Evropë që përfshihet edhe Kosova./SHQIP.com