Lajme

Minatorët paralajmërojnë veprime sindikale nëse nuk u plotësohen kërkesat

Minatorët paralajmërojnë veprime sindikale nëse nuk u plotësohen kërkesat
Minatorët paralajmërojnë veprime sindikale nëse nuk u plotësohen kërkesat

Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, i cili aktualisht është i suspenduar, ka paralajmëruar veprime sindikale në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre dhe mos komunikimit adekuat me zyrtarët qeveritarë.

Madje Jonuzi tha se me këtë rast nuk do të tërhiqen deri në realizimin e të drejtave të minatorëve sepse siç tha ai, nuk do të lejojnë tradhti ndaj tyre.

“Ne do të koordinohemi me minatorët dhe ne si sindikatë, ata na kanë suspenduar nga marrëdhënia e punës, meqenëse na e kanë paralizuar pak efikatsitetin ose qasjen ose komunikimin edhe përbrenda. Mirëpo ne si sindikatë nuk i përjashtojmë asnjëherë veprimet sindikale, sepse në këtë rast nëse e shohim vullnetin, në këtë formë, në këtë drejtim qysh po shkon atëherë do ta marrim edhe ne përsipër një organizim, një grevë ose  protestë. Nuk do të tërhiqemi do të kërkojmë deri në realizimin e të drejtave tona, nuk  do të lejojmë tradhti ndaj neve”, tha kryesindikalisti Jonuzi në Tëvë1.

“Me përgjegjësi  të plotë them se ne si sindikatë do ta marrim barrën që na takon. Nuk do ‘i lëmë minatorët në baltë, dhe nuk do të përjashtojmë as grevën, as protestën as forma të tjera që na e  garanton ligji”, tha tutje ai.

Derisa shtoi se si rezultat i të qëndruarit në grevën 10-ditëshe një numër i madh i minatorëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore tashmë janë në pushim mjekësorë.

Ndryshe, greva e minatorëve të Trepçës kishte përfunduar në ditën e 10-të pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet minatorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë.

Marrëveshja ishte arritur në orët e vona të mbrëmjes, kur ata u vizituan nga deputetë të VV-së, përfaqësues të Bordit të ndërmarrjes Trepça dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Ndryshe, këta të fundit kishin hyrë në grevë me kërkesat si: ekzekutimi me kohë i pagave, shkarkimi i menaxhmentit të Trepçës, sigurimi shëndetësor i minatorëve, përmirësimi i kushteve dhe mjeteve të punës.

Gjatë kohës sa ishin në grevë, shumë nga ta kishin probleme shëndetësore.

Kryeministri Albin Kurti nuk i kishte vizituar gjatë ditëve sa ata ishin në grevë.

Teksa për këtë çështje, opozita në Kuvend kishte kërkuar miratimin e një rezolutë në ndihmë të minatorëve, por që nuk ishte mbështetur nga mazhoranca.

/Shqip.com