Lajme

Milazim Krasniqi kërkon 20 mijë euro nga Xhelal Sveçla për “shpifje”

Milazim Krasniqi dhe Xhelal Sveçla.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, përmes padisë po kërkon 20 mijë euro nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për “shpifje”, përcjell Shqip.com.

Sipas padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, paditësi Krasniqi thotë se është profesor në UP, shkrimtar dhe personalitet publik i cili aktivitetin e tij e ushtron mbi bazë të ligjit, integritetit profesional dhe moral pa rënë asnjëherë ndesh as me ligjin as me vlerat si intelektual.

Tutje, në padi thuhet se Sveçla, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së ministrit, me qëllim të dëmtimit të personalitetit të Krasniqit, në rrjetin social “Facebook”, më 19 maj 2020, kishte publikuar një “shpifje”.

Ai kishte shkruar se “Jam informuar se sot pasdite një ‘grup qytetarësh’, po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSH-së të marra sipas vendimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë të Bashkësis Islame të Kosovës. Kemi informacione se prapa këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi”.

Po ashtu, në padi thuhet se të gjitha mediat elektronike dhe të shkruar të vendit dhe të rajonit e kishin publikuar dhe transmetuar këtë deklaratë të u.d ministrit për shkak të rëndësisë së pozitës së tij në opinionin publik.

Në padi thuhet se kjo deklaratë i ka shkaktuar tani paditësit dëme të mëdha si në emër ashtu edhe në reputacionin e tij, pasi që i padituri thuhet se si aktivist i një subjekti politik ka bërë që në rrjetet sociale të shpërthejnë fyerje dhe shpifje të panumërta me të cilat cenohet rëndë integriteti personal dhe familjar i tij.

Krasniqi ka kërkuar përmes padisë që i padituri të obligohet që në llogarinë e tij në “Facebook” të bëjë kërkim falje publike dhe të tërheq deklaratën e dhënë dhe të largoj postimin nga të gjitha faqet e internetit./SHQIP.com