Lajme

Mijëra banorë të rrugës Muharrem Fejza për herë të parë do ngrohen nga Termokosi

Ngrohje me termokos

Fillimi i sezonit ngrohës për banorët e Prishtinës është paraparë të fillojë me 15 tetor të këtij viti.

Gjatë këtij viti, të kyçur në sistemin e ngrohjes së Termokosit do të jenë edhe banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë që deri më tani nuk kanë qenë.

“Me Projektin për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është në proces të realizimit do të kyçen 141 objekte banesore të lagjes “Mati 1”, përkatësisht objektet kolektive banesore në rrugën “Muharrem Fejza” dhe rrugicat përreth saj. Rrjeti i ngrohjes tashmë është shtrirë në këtë pjesë të qytetit. Aktualisht janë duke u kompletuar nënstacionet e ngrohjes me të gjitha pajisjet e nevojshme”.

Ndërsa, për objektet banesore të cilat janë në përfundim e sipër zëdhënësja e Ndërmarrjes Private “Termokos”, Afërdita Uka tha se kyçja në rrjetin e ngrohjes do të bëhet sapo ato të jenë tërësisht të gatshme.

“Derisa, për disa objekte banesore, të cilat janë kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme, furnizimi me ngrohje do të nisë nga fillimi i sezonit ngrohës 2022/2023, për pjesën tjetër të objekteve, që janë në proces të realizimit, sapo ato të jenë të gatshme ne do fillojmë furnizimin me ngrohje.   Sipas planit dinamik për realizimin e Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i gjithë projekti do të përfundojë në fund të vitit 2023”.

Ndërsa, sa i përket mundësisë së reduktimeve në procesin e ngrohjes, Uka tha se planifikojnë të mos ketë të tilla dhe të ofrohet ngrohje e mjaftueshme për konsumatorët.

 “NP “Termokos” nuk parasheh se do të ketë nevojë për aplikimin e reduktimeve për furnizim me ngrohje për konsumatorët tanë. Ne planifikojmë, që sikur edhe gjithë sezonet e kaluara ngrohëse, që të ofrojmë ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për afro 16 mijë konsumatorët tanë”.

Megjithatë, edhe këtë vit “Termokosi” do të bëjë faturimin e ngrohjes së shpenzuara sipas sipërfaqes banesore të konsumatorit.

Ndërsa, nga viti i ardhshëm, kjo ndërmarrje parasheh vendosjen e matësve të energjisë termike tek të gjithë konsumatorët sipas konsumit.

/Shqip.com