Lajme

Miftaraj: Nuk mund të ndryshohet ligji që ndalon kosovarët që t’i bashkohen luftës në Ukrainë

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Përcaktohet si vepër penale në qoftë se një shtetas i Kosovës i bashkohet një konflikti të armatosur jashtë Republikës së Kosovës, pasi që e njëjta është e ndalur me Ligj.

Është raportuar nga disa kosovarë që dëshirojnë që t’i bashkohen luftës në Ukrainë, por sipas Drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, kjo nuk mund të ndodh pasi që Ligji nuk e lejon.

Sa i përket ndryshimit apo plotësimit të këtij ligji, Miftaraj, ka thënë për Shqip.com se ky ligj nuk duhet të ndryshohet.

“Çdo ndryshim ose plotësim i ligjit qe e dekriminalizon këtë vepër penale do të nënkuptonte që të gjithë personat e dënuar ose që janë në procedura penale lidhur me pjesëmarrje në luftëra në Siri do të duhej të liroheshin nga vuajtja e dënimit dhe procedurat tjera penale”, ka thënë ai.

Sipas Miftaraj dënimet lidhur me këto vepra penale shkojnë deri në 15 vite burgim.

“Ky  ligj zbatohet ndaj çdo personi i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Ditë më parë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se ky ligj duhet të ndryshohet dhe të plotësohet./Shqip.com