Teknologji

Microsoft: Hakerët rusë po përgatiten për sulme te reja ndaj Ukrainës

Hakerët rusë duket se po përgatiten për një valë të re të sulmeve kibernetike ndaj Ukrainës, përfshirë edhe sulme me virusë që kërcënojnë organizatat që shërbejnë si linja furnizimi për Ukrainën.

Kështu u tha në një raport të Microsoft.

Raporti, autor i të cilit është ekipi për siguri kibernetike i gjigantit të teknologjisë, ka paraqitur disa zbulime të reja sesi hakerët rusë operuan gjatë konfliktit në Ukrainë dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.

“Që nga janari i vitit 2023, Microsoft ka vëzhguar aktivitetin kërcënues kibernetik rus, që është duke u përshtatur me qëllim që të rrisë aftësinë shkatërruese të grumbullimit të inteligjencës në Ukrainë dhe të aseteve civile dhe ushtarake të parnerëve të saj”, thuhet në raport.

Ambasada ruse në Uashington nuk ka dashur të komentojë për këto gjetje.

Ekspertët kanë thënë se taktikat e kombinimit të operacioneve ushtarake me sulmet kibernetike janë të ngjashme me veprimet që Rusia ka bërë në të kaluarën.

Që prej janarit të vitit 2022, Microsoft tha se ka regjistruar sulme ndaj 100 organizatave ukrianse, raporton REL.

/Shqip.com