Lajme

MFPT nënshkruan marrëveshje në vlerë prej 11 milion euro me ndërmarrjen gjermane “GIZ Kosova”

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe perfaqesuesit e ndermarrjes GIZ Kosova

Ministria e Financave nënshkruan marrëveshje me ndërmarrjen GIZ Kosova në vlerë prej 11 milion euro.

Kjo marrëveshje u bë për projektin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, marrëveshja do të financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Gjermane.

“Kjo marrëveshje kap vlerën prej 11 milionë euro, prej të cilave kontributi financiar nga Qeveria e Kosovës është 6 milionë euro, kurse 5 milionë euro janë kontribut i Qeverisë Gjermane”, thuhet në njoftim.

Parku ITP është projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që do kontribuoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Parku ITP synon krijimin e një mjedisi inovativ biznesi për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, i cili pritet të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë të Financave.

Siç njofton ministria, Ministri Murati është shprehur se ky projekt gjithashtu do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ministri Murati vlerësoi lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë gjermane dhe theksoi rëndësinë e veçantë të ITP Prizren, si një projekt që paraqet mundësi të mirë zhvillimi për bizneset në vend. Tutje, ai u shpreh se ky projekt gjithashtu do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e vendeve të reja të punës, pasi kontribuon në krijimin e sinergjisë midis sektorëve të ndryshëm që ndodhen në park”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes “GIZ Kosova”

Drejtori i GIZ, David Oberhuber, ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë së Kosovës për financimin dhe realizimin e përbashkët të një projekti kaq të rëndësishëm.

Ministria e Financave thotë se “Parku i Inovacionit dhe Trajnimit Prizreni” është lokacioni më unik në rajon për ndërmarrësi inovative, biznes dhe zhvillim të aftësive./Shqip.com