Lajme

Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” ish-presidentin Nishani

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani

Presidenti Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes).

Ilir Meta tha se me këtë dekoratë vlerësoi kontributin e shquar të ish-presidentit Bujar Nishani si dhe gjithë detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë si dhe promovimin e interesave kombëtar.

“Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euroatlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare. Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”, thuhet në motivacion.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Ndryshe, me 28 maj të këtij viti, pas një gjëndje të rëndë shëndetësore, ndrroi jetë ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Më 11 qershor 2012, Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër.

Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit./Shqip.com