Lajme

Meta: Shmangni provokimet në Kosovë, vendosja e reciproritetit e drejtë e çdo vendi sovran

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka bërë thirrje që të shmangët çdo provokim dhe përshkallëzim i tensioneve që cenojnë sigurinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se vendosja e reciprocitetit është e drejtë e çdo shteti sovran.

“Bëj thirrje për shmangien e çdo provokimi dhe përshkallëzimi të tensioneve, që minojnë sigurinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se vendosja e reciprocitetit është e drejtë e çdo shteti sovran”, shkroi Meta.

Tutje ai ka thënë se e mbështet vullnetin e Kosovës për vendosjen e ligjërisë në territorin e Kosovës.

“Mbështes plotësisht vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin”.

Pamje nga veriu i vendit

Meta tha se dënon çdo sulm ndaj Policisë dhe Forcave të Sigurisë në ushtrimin e detyrës së tyre ligjore.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com