Sport Ndërkombëtar

Messi tregon trajnerin dhe katër futbollistët e preferuar

Lionel Messi e ka përshkruar Pep Guardiolan si trajnerin më të mirë në botë dhe i ka thënë emrat e katër lojtarëve me të cilët është kënaqur më së shumti duke luajtur.

Në një intervistë për gazetën kineze, TTPlus, superylli argjentinas ka folur për kohën e mrekullueshme të kaluar te Barcelona duke i dhënë nderime ish-trajnerit dhe disa prej ish-bashkëlojtarëve të tij ndër vite.

“Jam ende në kontakt me Guardiolan. Fitimi i Ligës së Kampionëve këtë herë (me Manchester Cityn) dëshmon se ai është trajneri më i mirë në botë, e ka merituar ta fitojë Ligën e Kampionëve”, ka thënë sulmuesi i ri i Inter Miamit.

Lidhur me lojtarët, me të cilët është ndier më komod duke luajtur, Messi i ka listuar katër emra: “Luis Suarez, Xavi, Neymar, Samuel Eto’o…”.

Është e qartë se 35-vjeçari ka akoma dashuri të madhe për Barcelonën, megjithatë përkundër përpjekjeve të mëdha, katalunasit nuk e bindën që të rikthehej në “Camp Nou”.

/Shqip.com