Sport Ndërkombëtar

Mësohet kush është trajneri favorit për ta drejtuar Chelsean

Detyra e trajnerit të Chelseas po del të jetë shumë e vështirë dhe ndryshimet në bankinën londineze janë të shpeshta.

Trajneri argjentinas, Mauricio Pochettino pritet të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës së Chelseas. Siç raportojnë mediat angleze, kryesia e klubit londinez  kanë marrë vendim që Pochettino të jetë shef i shtabit teknik.

Pochettino aktualisht është i pa punë dhe raportohet se do të ishte i hapur për një rikthim në Ligën Premiere.

Argjentinasi më parë ka qenë në krye të klubit tjetër londinez, Tottenhamit, ekip në të cilin qëndroi gjatë viteve 2014-2019.

Së fundmi, Pochettino ishte trajner i skuadrës së Paris Saint-Germainit nga e cila u largua në korrik të vitit të kaluar.

51-vjeçari me ekipin parisien arriti të fitojë kampionatin francez, Kupën e Francës dhe Superkupën Franceze. Në të kaluarën, tekniku argjentinas ka qenë trajner i Espanyolit dhe Southamptonit.

Chelsea nuk po kalon në formë aspak të mirë këtë edicion dhe ka ndërruar plot tre trajnerë gjatë këtij kampionati.

Thomas Tuchel dhe Graham Potter ishin shkarkuar nga kryesia e klubit, ndërsa deri në fund të sezonit skuadrën do të drejtojë Frank Lampard.

/Shqip.com