Lajme

Mësohen avokatët mbrojtës të ushtarit të FSK-së

Kujtim Kerveshi dhe Naim Ferati tashmë edhe zyrtarisht janë avokatët mbrojtës të ushtarit të FSK-së që dyshohet se plagosi një 11 dhe 21 vjeçar disa ditë më parë në Shtërpcë.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, vetë Kerveshi.

“Ju njoftojmë se jemi autorizuar nga familjari i z. Azem Kurtaj për përfaqësimin e tij në procedurë penale. Në ekipin e mbrojtjes do të jetë edhe kolegu Naim Ferati, avokat nga Ferizaj, i cili ka qenë i kyqur në këtë rast paraprakisht në cilësinë e avokatit”.

Po ashtu Kerveshi ka bërë të ditur se këtë shërbim do ta kryejë falas.

“Përfaqësimi jonë për z. Kurtaj të jetë pa pagesë”.

Më tutje Kerveshi thotë se deri në komunikimin e radhës, do të përmbahem nga komentimi i fakteve.

“Deri në komunikimin e rradhës, do të përmbahem nga komentimi i fakteve, të cilat, në mënyrën e përshkrimit siç i ka përshkruar Prokuroria janë fizikisht të pa mundura, pa dashur të përjashtoj opsionin e montimit të provave kundër z. Kurtaj siç është ndryshimi i deklaratës së dhënë në publik nga familjarja e njërit nga të dëmtuarit e supozuar e që më jep me besu se kontaminimi politik dhe keqdashës në këtë rast, dhe/ose ndërhyrja në këtë rast e atyre që Kosovën duan ta shohin të rrënuar ka qenë thirrja kryesore që na ka shtyrë për tu përfshirë në mbrojtjen ligjore të z. Kurtaj”.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj për Azem Kurtajn, i cili dyshohet për plagosjen e dy të rinjve serbë  njëri 11 dhe tjetri 21 vjet.

/Shqip.com