Lajme

“Mësimi do të vazhdojë deri më 30 dhjetor”

Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se datat 28, 29 dhe 30 dhjetor do të jenë ditë mësimi, përcjell Shqip.com.

Sipas saj, kjo për shkak se vitin e ri shkollor e kanë filluar me vonesë për 18 ditë dhe se orët e humbura do të zëvendësohen.

“Qysh në shtator të gjitha drejtorive komunale u është shpërndarë plani për zëvendësimin e këtyre ditëve. Tash varësisht prej momenteve të caktuara vijnë kërkesa edhe individuale si duhet të ndërpritet mësimi sepse është shumë ftohët apo shumë nxehtë.

Gjatë javëve të fundit ka pasur raportime për mungesa më të shtuara për shkak të përhapjes së gripit, por nuk ka pasur raportime për situatë të vështirësi epidemiologjike. Datat 28, 29 dhe 30 do të jenë ditë mësimi dhe pastaj pushimi do të zgjasë deri në periudhën e dytë në janar”, ka thënë ajo në KTV.

Tutje, Nagavci ka folur edhe për Abetaren e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se do të jetë tekst që plotëson standardet dhe kërkesat që i përshtaten ndryshimeve.

Ajo shton se do të bëhet komisioni i cili do të planifikojë kohën në mënyrë që Abetarja e re do të jetë e gatshme në shtatorin e vitit të ardhshëm.

“Ky komision do të vendosë edhe për autorët të cilët do të jenë edhe nga Kosova edhe Shqipëria. Presim që ky libër të jetë cilësor për fëmijët, jo vetëm që do t’i marrin mësimet e para por do ta kujtojnë edhe me dashuri këtë libër. Ka pasur studime e hulumtime që kanë hasur në tekste shkollore gabime drejtshkrimore gjithashtu edhe fjalë që nxisin stereotipe”, shtoi ndër tjerash ajo./SHQIP.com